Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar sot se qeveria e drejtuar prej tij ka marrë një vendim me shumë rëndësi për sa i përket luftimit të korrupsionit.

Kurti në një postim në mediat sociale shprehet se në Kosovë për më shumë se dy dekada, korrupsioni ka qenë në nivele të larta dhe e përqendruar në zyrat e shtetit. Pikërisht për këtë të fundit qeveria e tij premton se do të jetë luftë të ashpër.

Sipas vendimit të miratuar nga qeveria do t’i hapet rrugë ligjit të ri për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, dhe sipas Kryeministrit “do t’i jepet fund epokës ku dominonte parulla ‘Rroga e vogël, fitimi i madh’.

Askush nga ne nuk mund të shpenzojë pasurinë që nuk e fiton. Në jetën e përditshme ne skuqemi kur na bie zori që të kërkojmë diçka hua, dhe bëjmë gjithçka që të jetojmë brenda mundësive tona, nga rroga dhe puna jonë e ndershme. Por, ju e dini se për shumë kohë, ata që kishin duart në buxhetin e shtetit nuk ju mjaftonin pagat e privilegjet por përvetësuan pasuri që nuk e justifikojnë dot. Kjo nuk është e drejtë dhe as e ndershme, prandaj edhe duhet të veprojmë që të krijojmë një shtet ku secili merr fitimin që meriton dhe paguan detyrimin që i takon“, shkruan kreu i qeverisë

Më tej ai shton se pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme kurrë nuk është as private e as e ligjshme sepse ajo kurrë nuk është fituar./tvklan.al