Përkeqësohet situata. Në New York mbyllen edhe shkollat

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijojnë që të mbajnë rekord global sa i përket vdekshmërisë dhe infektimeve. Sipas Universitetit Johns Hopkins, vendi ka regjistruar deri tani 250 mijë vdekje dhe gati 11.5 milionë raste.

Infektimet janë të larta në të gjithë Amerikën. Anthony Fauci në një intervistë për BBC u shpreh se vendi po shkon në drejtimin e gabuar në këtë kohë shumë të pasigurt. Ai deklaroi se shumë shpejt situata do të përkeqësohet edhe më shumë kur moti të ftohet. 

Fauci përsëriti thirrjen që njerëzit të mbajnë maska edhe në publik, të ruajnë distancën dhe t’i shmangen tubimeve. Nju Jorku është bërë sërish epiqendra e shpërthimit sikurse në pranverë. Duke filluar nga kjo e enjte autoritetet kanë urdhëruar mbylljen e shkollave.

Vendimi për të mbyllur sistemin më të madh të shkollës publike të SHBA-së erdhi ndërsa rastet po rriten me ritme të frikshme çdo ditë. Sipas zyrtarëve të shëndetësisë COVID-19 mund të prekë rreth 300,000 fëmijë.

Mbyllja e shkollave është masa e fundit mes përpjekjeve për të frenuar një shpërthim të ri të virusit. Në fillim të kësaj jave u vendos që baret dhe restorantet të mbyllen pas orën 22:00. Vendimi për të mbyllur sistemin arsimor është në kontrast me masat në Evropë, ku bizneset janë mbyllur, por shkollat kryesisht mbeten të hapura.

Në fund të marsit kur SHBA kishte regjistruar 2,200 vdekje Fauci parashikoi se pandemia mund të vriste deri në 200 mijë amerikanë dhe mund të infektonte miliona të tjerë.

Ndërkaq vaksinat e kompanive Pfizer dhe Moderna për koronavirusin po presin që të certifikohen dhe autorizohen, për të filluar shpërndarjen brenda disa javësh. Ato do të duhet që të marrin autorizim nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave.

Rreth 40 milion doza të të dyja vaksinave, të cilat kërkojnë nga dy doza me nga katër javë diferencë do të jenë në dispozicion deri në fund të vitit. Çdo muaj pas kësaj, kompanitë do të jenë në gjendje për të prodhuar më shumë se 40 milion doza në muaj për amerikanët. Vaksina Moderna mund të autorizohet brenda shtatë deri në 10 ditë pas marrjes së autorizimit.

Klan Plus