Akuzohet për vrasje të mbetur në tentative dhe armëmbajtje pa leje

Gjykata e Tiranës në një seancë të pazakontë të zhvilluar në Spitalin e Traumës ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për Orgest Bilbilin.

I riu u plagos dy ditë më parë nga një efektiv i policisë në zonën e Xhamllikut në kryeqytet, i cili i kërkoi lejen e daljes, por 30-vjeçari i nxorri pistoletën.

Tashmë Bilbili akuzohet për vrasje të mbetur ne tentative ndaj punonjësve të policisë dhe armëmbajtje pa leje. Seanca zgjati rreth 30 minuta, ndërsa gjyqtari Kujtim Vraniçi pranoi kërkesën e prokurorisë, duke lënë në burg pa afat Bilbilin. Mbrojtja kërkoi një masë më të lehtë. 

“Nuk ndodhet në gjendje të mirë, nuk u shpreh, mbajti një qëndrim neutral. Unë si avokat mendoj që nuk ekziston qëndrimi i arsyeshëm që klienti im të akuzohet për atë vepër penale”.

Efektivi i policisë qëlloi fillimisht në ajër dhe më pas e plagosi Bilbilin në këmbë. E plagosur mbeti edhe një kalimtare e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Bilbili konsiderohet nga policia si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dyshuar për disa vrasje e plagosje në zonën e Lushnjes. Ai është dënuar edhe me 7.4 vite burg si bashkëpunëtor i italianit Giorgio Riformato që tentoi të trafikonte kanabis me një avion, i cili u rrëzua në plazhin e Divjakës.

Tv Klan