Akuzohet për vrasjen e Vajdin Lames e Klodian Saliut

Plaurent Dervishaj, kunati i Lul Berishës, i shpallur në kërkim nga SPAK për vrasjet e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut në vitin 2005, është arrestuar në Dubai. Burime nga policia shprehën se Dervishaj u arrestua pas nxjerrjes së urdhër-arrestit ndërkombëtar nga Interpol Tirana.

Ai cilësohet një nga personat kryesorë që organizoi vrasjen e Klodian Saliut dhe e ekzekutoi atë së bashku me bashkëpunëtorin e drejtësisë, Luftar Reçin dhe me Indrit Taullain, i arrestuar pak ditë më parë në Prizren.

Po ashtu, Prokuroria e Posaçme për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin thotë se ai ka qenë pjesëmarrës në organizimin e vrasjes së biznesmeni Vajdin Lame, i cili humbi jetën nga një shpërthim tritoli në ashensorin e pallatit ku banonte, së bashku me mikun e tij Artan Arsi.

Dëshmia e Luftar Reçit ka vënë nën akuzë edhe Lulzim Berishën, i cili dyshohet se ndodhet në Gjermani.

Tv Klan