Droga nisej për në vendet e BE-së

Policia e Malit të Zi ka goditur një grup trafikantësh të cilët transportonin lëndë narkotike nga Shqipëria në Malin e Zi me destinacion final vendet e Ballkanit dhe të Europës.

Në operacionin e koduar ‘Kurthi’, ku u kryen kontrolle në më shumë se 30 zona të Nikshiqit, Podgoricës dhe Tivarit, policia malazeze arrestoi 24 persona, dhe sekuestroi rreth 500 kg kanabis, pesë automjete, një skaf, një pistoletë dhe një armë gjahu, si dhe një peshore për matje precize, para, disa telefona dhe karta SIM.

Në këtë aksion të zhvilluar të martën, u angazhuan 180 efektivë policie. Sipas autoriteteve të Malit të zi ky grup ka krijuar një rrjet të gjerë të trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria në Malin e Zi dhe prej këndej në disa vende të Bashkimit Evropian.

Gjithashtu policia vendase bënë me dije se ky grup është i njëjti me atë që trafikoi 2.6 ton kanabis, pak muaj më parë, që u kapën në një magazinë në Lushnje. Për këtë u arrestuan Përparim Shurdhi dhe Arlind Tabaku të cilët për policinë janë persona të përfshirë drejtpërdrejtë në trafikun e drogës dhe për këtë sipas uniformave blu ka prova të shumta.

Klan News