Qeveria shton masat për parandalimin e përhapjes së virusit

Qeveria e Kosovës ka themeluar Komisionin e Posaçëm për Parandalimin e Koronavirusit të cilin do ta udhëheqë vetë Kryeministri Albin Kurti.

Ndërsa pas vendimit të mbrëmshëm të qeverisë për ndërmarrje të masave ndaj koronavirusit, është vërejtur fluks i madh i qytetarëve për të blerë rezerva ushqimore.

Në disa markete ka pasur edhe rritje çmimesh. Ka reaguar ministri i Financave Besnik Bislimi.

“Unë si ministër do të nxjerr një vendim ku kërkoj nga bizneset të kthejnë çmimet normal. Inspektorët e ATK-së autorizohen të ndërmarrin veprime rigoroze. Lusim qytetarët që çdo dokumentim ta informojë ATK-në”.

Kryetari i Agjencisë Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, kërkoi nga qytetarët të mos bëjnë panik, pasi siç tha, bizneset janë deklaruar se ka rezerva të mjaftueshme.

Ndërkohë pas një takimi që zhvilluan ministri i Financave me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë Qemajl Minxhozi, u tha se nuk do të ndërpritet qarkullimi i mallrave Kosovë-Shqipëri.

Derisa qeveria ka ndërmarrë të gjitha këto masa për të shpëtuar më lehtë nga koronavirusi, lokalet në Prishtinë janë të mbushura plot me qytetarë gjatë gjithë ditës.

Nga data 8 Shkurt deri më tani Instituti Kombëtar i Shëndetit publik ka testuar 82 persona të dyshuar por që kanë rezultuar negative ndaj COVID-19.

Tv Klan