Mund të shtojë ritmet e infektimeve të reja, po bëhet më ngjitës

Koronavirusi po bëhet më ngjitës. Paralajmërimi vjen nga një grup shkencëtarësh amerikanë dhe britanikë, të cilët nga studimet e tyre kanë konstatuar mbi 198 mutacione që ka pësuar deri më tani Covid-19.

Në studimin e tyre të publikuar në revistën shkencore Biorxiv thuhet se një nga variantet e mutacioneve po bëhet gjithnjë e më dominant dhe po përhapet më shumë. Sipas tyre, përhapja masive e këtij varianti mund të shtojë sërish ritmet e infektimeve, që mund të jenë më të larta se deri më tani.

Megjithatë, grupi i shkencëtarëve e ka ende të pamundur të përcaktojnë nëse këto mutacione e bëjnë apo jo virusin të jetë më i rrezikshëm dhe më i dëmshëm për njeriun se aktualisht. Për këtë, sipas tyre nevojitet një studim më i thelluar.

Ata shprehen po ashtu se mutacionet janë një proces natyror, por mbajtja nën vëzhgim e tyre është shumë e rëndësishme për zhvillimin e vaksinave efektive.

Grupi i shkencëtarëve përbëhet nga universiteti amerikan i Los Alamosit në New Mexico dhe nga britanikët e University College of London.

Sakaq ekspertët e OBSH-së shprehen optimistë se brenda tremujorit të parë të 2021-shit do të jetë gati vaksina kundër koronavirusit. Ata thonë se deri më tani po japin rezultate premtuese 6 vaksina që po zhvillohen nga laboratorë të ndryshëm në gjithë botën.

Tv Klan