Në prag të hapjes së merkatos së dimrit në Itali, Menaxheri i Elseid Hysajt, Mariano Giuffredi është duke tentuar t’i rrisë pagën futbollistit.

Mediat italiane shkruajnë se Giuffredi po kërkon të ulet në bisedime me drejtuesit e klubit me kërkesën e dyfishimit të vlerës financiare të kontratës, ndoshta edhe të kohëzgjatjes.

Pretendohet që mbrojtësi, i cili këtë sezon nuk po gjen shumë hapësirë nën drejtimin e Ancelottit, të marrë 3 milionë euro në sezon. Për këtë arsye menaxheri është duke ndjekur strategjinë e zakonshme, atë të kërkesave nga klube të tjera. Me largimin e Sarrit tek Chelsea, dolën lajme se ish-trajneri kërkonte Hysajn.

Ditët e fundit menaxheri ka deklaruar se për futbollistin po interesohet madje kanë nisur kontaktet edhe me Altetico Madrid. Në mediat lokale të Napolit shkruhet se skuadra spanjolle që kërkon të balancojë mbrojtjen kërkon me ngulm shqiptarin e Napolit. Ka lajme se klubi i Simeones është i gatshëm të paguajë 40 milionë euro për Elseid Hysajn. Sipas mediave Italiane, Presidenti De Laurentiis është bezdisur nga këto lajme dhe kërkon që në tavolinë t’i vihet një ofertë konkrete. Klauzola për shitjen e tij është 55 milionë euro, por thuhet se Chelsea ofron pak më shumë se gjysmën e kësaj shifre.

Tv Klan