Të tjera ngjarje kriminale janë zbardhur nga autoritetet pas shkatërrimit të bandës shqiptaro-greke që vepronte në burgun e Koridhalos, të cilët urdhëronin vrasje me pagesë, ose siç i quan shtypi grek “kontratat e vdekjes”.

Në përgjimet e hetuesve grekë ka rënë një bisedë e të burgosurit shqiptar Klodi, i cili tashmë është zbuluar se ka urdhëruar vrasjen e Arbër Bakos. Nga përgjimet rezulton se Klodi ishte ndërmjetës për vrasjen e një shtetasi pakistanez në Greqi. Për këtë, ai kishte folur me një shqiptar që do të kryente vrasjen me pagesë. Ky i fundit ishte nisur nga Shqipëria drejt Athinës pikërisht për këtë punë. Vrasja ishte ndërmjetësuar edhe nga një 39-vjeçar grek që ndodhet në burgun e Koridhalos së bashku me Klodin.

Të dy do të merrnin nga 5 mijë Euro secili dhe 20 mijë Euro do të paguhej shqiptari që do të kryente vrasjen, pra në total “kontrata e vdekjes” ishte 30 mijë Euro. Ata i kishin dhënë vrasësit me pagesë të gjitha informacionet e nevojshme dhe e kishin këshilluar që pistoletën ta hidhte në det sapo të përfundonte misionin.

Emri i shqiptarit që do të kryente ekzekutimin nuk është bërë i ditur për arsye hetimi, por dyshohet se në vitin 2013 ka marrë pjesë në një tjetër vrasje. Ai mbërriti fillimisht në Korinth dhe më pas në Athinë. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin grek, ra në kontakt me një të burgosur në Korfuz, i cili kishte porositur 5 kg kanabis. Shqiptari u arrestua kur shkoi në Korfuz pasi po zhvilloheshin edhe operacione paralele nga autoritetet të tjera greke. Nuk është sqaruar ende motivi përse ishte porositur vrasja e pakistanezit. Dyshohet se ai mund të ketë qenë dëshmitar në një çështje të rëndësishme.

/tvklan.al