Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Autoriteti i Konkurrencës nuk mund të veprojë ndaj konkurrencës së paligjshme në media. Këtë e ka bërë të ditur drejtuesi i këtij institucioni shtetëror Zef Preçi, gjatë konsultimit me ligjvënësit e komisionit parlamentar të medias. Preçi e quajti gjithashtu jo legale vendosjen e çmimit dysheme për organet e shtypit, propozuar nga deputeti Nikollë Lesi.

Nikollë Lesi: “Nuk kanë një rast që të shesin poshtë kostos reale të tyre, pallate banimi, shtëpi banimi, pjesë këmbimi, birrë, apo gjëra të tjera që prodhojnë, vetëm media prodhojnë poshtë kostos, atëherë, a janë këta që i prodhojnë zoti Zef, që autoriteti numër një i votuar nga parlamenti për të zbatuar rregulla të ndershme konkurrence?”

Zef Preçi: “Është në thelb konfirmim i kartelit, pra i formave të monopolit, dhe është e pa ligjshme. Ligji është këto gjërat e para, marrëveshjet e ndaluara konsideron pikërisht këto lloj fiksimesh dhe ajo që përmendët ju është absolutisht e gabuar. Se çfarë vendos të bëjë njëri me paratë e tij është çështje e zgjedhjes së tij dhe nuk mendoj se mund të interferohet”.

Sipas deputetëve Braçe dhe Lesi, gazetat me 8 faqe duhet të shiten jo më pak se 10 lekë, botimet me 16 faqe 20 lekë, ato deri në 24 faqe 30 lekë e kështu me radhë. Në rast se gazetat apo revistat nuk shiten nën kosto atëherë ato nuk përfitojnë reklamat apo njoftimet shtetërore, rimbursimet për kopjet e shitura, apo uljen e çmimit të energjisë elektrike dhe telefonisë fikse./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj