Ministria e Rendit Publik ka përfunduar ekspertimin e kasetave filmike të incidentit në fshatin Lazarat, banorët e të cilit pretenduan se janë qëlluar me armë nga helikopteri i policisë. Zëdhënësi i kësaj ministrie Florion Serjani deklaroi, në një konferencë të posaçme për shtyp, se tashmë janë identifikuar të gjithë personat përgjegjës për incidentin.

Florion Serjani: “Në një kohë kur Ministria e Rendit Publik dhe Policia e Shtetit është rreshtuar në krah të partnerëve më të rëndësishëm ndërkombëtarë për rend dhe qetësi publike dhe në kuadër të “lojërave olimpike 2004” nuk do të lejojë që individë, kriminelë apo grupe të ndryshme të interesit që i mbështesin ata, qofshin këto edhe politike apo opinionbërëse, të krijojnë terren për të prishur këtë imazh pozitiv të ndërtuar për punën e strukturave të rendit dhe iniciativat e qeverisë.”

Një ekspert i Ministrisë së Rendit ka ilustruar pamjet filmike të kasetës së dorëzuar nga ekuipazhi i helikopterit dhe ai i paraqitur nga zyrtarët e Partisë Demokratike. Eksperti tha se në kasetën e këtyre të fundit është montuar zëri i të shtënave të armve që pretendohet se ka ardhur nga helikopteri dhe se shkencërisht nuk ekziston asnjë mundësi të jetë qëlluar nga mjeti fluturues në drejtim të fshatit.

“Nuk ka asnjë mundësi që zhurma e një krisme arme në këtë distancë që është helikopteri, e gjuajtur nga helikopteri me atë intensitet, zhurme që krijojnë motorrët e helikopterit të dëgjohet kaq pastër në një videofilmike siç është videojafilmike që na është paraqitur. Në tokë, lidhur me ndriçimin, kjo pjesa këtu që duket te bishti i helikopterit dhe që pretendohet që është një flakë arme, nga shikimi me kujdes i xhirimit konkludojmë që është një reflektim i dritës së diellit në llamarinën e bishtit të helikopterit që reflektohet tek objektivi i kamerës që është në tokë.”

Edhe prokuroria italiane është duke kryer hetime mbi këtë ngjarje, sepse pjesa më e madhe e ekuipazhit të helikopterit që vëzhgonte zonat mbjella me kanabis janë shtetas italianë. /tvklan.al