Ekstradimi i personave të kërkuar nga drejtësia shqiptare ishte temë kryesore e takimit të ministrit të brendshëm Taulant Balla me homologun e tij në Emiratet e Bashkuara Arabe, Said Bin Zayed. Gjatë një vizite zyrtare në Abu Dhabi, Balla dhe Zayed u dakordësuan për ngritjen e një Task Force mes dy ministrive, pjesë e së cilës do të jenë policitë e dy vendeve.

Në këtë aspekt dua të ndaj me ju edhe faktin që kemi diskutuar për çështje që lidhen me bashkëpunimin mes Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabit. Theksoj që bashkëpunimi ka qenë i mirë. Kemi pasur disa raste pozitive të trajtimit në mënyrë të veçantë e po ashtu do të vazhdojmë diskutimin për këtë çështje edhe me Ministrin e Drejtësisë për një çështje që ka marrë shumë vëmendjen në Shqipëri, që lidhet me ekstradimin e personave të kërkuar nga drejtësia shqiptare drejt Shqipërisë. Me Ministrin Said Bin Zayed ramë dakord, me propozimin e tij, të ngremë së bashku një Task Force mes dy ministrive, pjesë e së cilës të jenë dhe dy policitë tona, për të adresuar të gjitha çështjet e përbashkëta ku përfshihen edhe çështjet që lidhen me luftën kundër krimit, edhe asistenca që mund të përfitojë policia shqiptare nga qeveria e EBA. Këtu përfshihen edhe çështje për të cilat do të diskutojmë nesër me Ministrin e Drejtësisë sa i përket ekstradimeve apo depërtimeve.

Gjithashtu gjatë takimit u diskutua për ngritjen në një nivel tjetër të bashkëpunimit edhe sa i përket emergjencave civile.

“Jemi ndalur edhe në një diskutim të gjerë lidhur me përballimin e situatave të vështira që lidhen me emergjencat civile. Kemi kërkuar marrjen e asistencës nga ana e qeverisë dhe e Agjencisë së Mbrojtjes Civile në mënyrë që të përballojmë disa prej sfidave që kemi përpara. Po shkojmë drejt sezonit të verës dhe kujtova këtu faktin që vitin e kaluar kemi pasur një numër të konsiderueshëm zjarresh, 834 zjarre të cilat është e pamundur të përballohen vetëm nga gjithë ekipet e tona dhe infrastruktura që kemi për mbrojtjen kundër zjarrit.”

Në takimin dy palësh, ministri Balla dhe homologu Zayed ranë dakord për të bashkëpunuar edhe sa i përket asistencës dhe marrjes së eksperiencës që tashmë Emiratet e Bashkuara Arabe kanë me teknologjinë në menaxhimin e trafikut dhe identifikimit të personave të kërkuar.

Klan News