Kryebashiaku i Tiranës, Erion Veliaj, njëkohësisht drejtues politik i PS-së për qarkun u shpërndau certifikatat e mirënjohjes socialistëve të Njësisë 10 në kryeqytet.

Sipas Veliajt kundërshtarët sa më shumë humbasin aq më të dhunshëm bëhen.

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë: Sot jemi dita me natën, sot nuk strehohet asnjë njeri në bodrum dhe sot çdo njeri që ka llogari për të dhënë me patjetër që duhet t’i sqarojë me drejtësinë, por koha kur t’i bëje karrierë duke vrarë, duke plagosur, duke gjakosur, duke qëlluar socialistët është një kohë që i përket të shkuarës. Kur shikoj alternativën që ne kemi përballë dhe shikoj ata që djegin goma ka më shumë goma se sa njerëz.

Dhe shikoj kundërshtarët tanë sa më shumë humbasin aq më të dhunshëm bëhen dhe nuk e di pse nuk e kuptojnë që të bësh të njëjtën gjë dhe të presësh rezultate të ndryshme është definicion i budallëkut. Të djegësh goma në Shqipërinë e 2024-ës, Shqipëria e mbushur me turistë. Shikoj turistë që shkojnë i fotografojnë si specie ekzotike. E kemi mision historik të fitojmë, të drejtojmë, të transformojmë, të modernizojmë dhe të bëjmë një Shqipëri perëndimore.  

Veliaj tha se ka vetëm mirënjohje për çdo socialist që, në këto 33 vjet të Partisë Socialiste, ka punuar pa ndalim për ta çuar vendin përpara. 

Klan News