Balluku: Proceset e prokurimit janë transparente

Ministrja e energjetikës: Po punojmë për rritjen e kapacitetit të prodhimit të energjisë

Ndonëse i cilësuar si një nga proceset më problematike, zv kryeministrja Belinda Balluku deklaroi se proceset e prokurimit në Shqipëri janë transparente dhe se hapat pozitive të hedhura do të ndikojnë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

“Ka pasur arritje të dukshëm në uljen e përqindjes të ankesave të shqyrtuara gjatë afatit, ku për vitin 2021 vlera e ankesave të shqyrtuara jashtë afatit është vetëm 10.8%. Këto zhvillime në sistemin e prokurimit publik në Shqipëri, janë vlerësuar pozitivisht. Edhe në raportet e ndryshme ndërkombëtare”, ka thënë Balluku.

Gjatë fjalës së saj në Forumin e Prokurimit, Integritetit, Menaxhimit dhe Hapjes, Balluku foli dhe për krizën energjetike dhe garantoi se nuk do të ketë rritje të faturës për konsumatorët familjarë.

“Përmes një mburoje sociale, kështu e quajmë ne paketën që kemi aktivizuar prej disa kohësh, për të mos lejuar ekspozimin e qytetarëve shqiptarë ndaj kësaj krize dhe nuk do të aplikojë asnjë rritje të çmimit për abonentët familjar dhe biznesit”, ka thënë Balluku.

Synimi i qeverisë tha Balluku është puna për të rritur kapacitetet e prodhimit të Energjisë në Shqipëri.

Klan News