Sejko: Inflacioni në rritje, ndikohet nga tregjet ndërkombëtare

Banka e Shqipërisë rriti normën bazë të interesit me qëllim stabilitetin e çmimeve dhe mbajtjen në kontroll të inflacionit, si një nga rreziqet kryesore të ekonomisë tonë.

“Këshilli Mbikëqyrës gjykoi se rritja e inflacionit është rreziku kryesor që kërcënon rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit. Sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të vijojë procesin e normalizimit të politikës monetare. Ky normalizim synon të krijojë kushte monetare të përshtatshme për kontrollin e inflacionit në horizontin afatmesëm dhe sinjalizon vullnetin tonë për respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve”.

Sejko tha se inflacioni do vijojë të mbetet i lartë gjatë këtij viti duke reflektuar edhe situatën në tregjet ndërkombëtare. 

“Rritja e çmimeve të produkteve, shtrëngimi i kushteve financiare dhe rritja e pasigurisë, kanë sjellë një rritje të fortë të inflacionit dhe kanë filluar të frenojnë ritmet e rritjes ekonomike. Rifreskimi i analizës dhe përditësimi i projeksioneve tona sugjeron se inflacioni në vend do të vijojë të mbetet i lartë gjatë vitit 2022. Ky inflacion pasqyron – në masën më të madhe – efektet direkte të goditjes së ofertës që vjen nga tregjet ndërkombëtare. Megjithatë, pasojat e kësaj goditjeje rrezikojnë të forcohen dhe të zgjaten në kohë, si pasojë e kërkesës relativisht solide për mallra e shërbime në vend”.

Megjithatë, guvernatori i Bankës së Shqipërisë tha se ekonomia do të vijojë të shënojë rritje solide, pavarësisht se do të jetë me i ngadaltë kundrejt atij të shënuar në tremujorin e parë të vitit.

Tv Klan