Në mbledhjen e fundit të qeverisë është vendosur për shkarkimin e disa zëvendësministrave.

Marko Bello: “Këshilli i Ministrave vendosi që: 1. zoti Thoma Jano lirohet nga detyra e zëvendësministrit të Rendit Publik dhe në këtë detyrë emërohet zoti Arben Isaraj; 2. zoti Besnik Baraj lirohet nga detyra e zëvendësministrit Evropian dhe në vend të tij emërohet zoti Arben Ahmetaj; 3.zoti Besnik Baraj emërohet zëvendësministër i Mbrojtjes pas kalimit nga kjo detyrë të zotit Pavli Zëri, i emëruar ambasador në Romë; 4. zoti Arben Ahametaj lirohet nga detyra e zëvendësministrit të Industrisë dhe Energjitikës dhe në vend të tij emërohet zoti Pajtim Bello; zoti Pajtim Bello lirohet nga detyra e zëvendësministri të Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit dhe në këtë detyrë emërohet zoti Paqësor Zeneli, deri në këtë moment Prefekt i Qarkut Korçë dhe në vend të zotit Paqësor Zeneli, i cili lirohet nga detyra e Prefektit të Qarkut të Korçës për shkak se emërohet zëvendësministër i Pushteti Vendor dhe Decentralizimit, emërohet zoti Niko Peleshi.”

I pyetur në lidhje me raportin e fundit mbi matjen botërore të korrupsionit botuar nga “Transparence International”, e cila e rendit Shqipërinë në vendin e 108 me nivel të lartë korrupsioni, ministri i Shtetit është shprehur se ky organizëm nuk është fort i besueshëm në analizën që bën për Shqipërinë pasi nuk ka burimet e duhura të informacionit në vend.

Marko Bello: “Kjo vjen për shkak të mungesës së informacionit të azhornuar të këtij organizmi shumë të rëndësishëm, i cili, ndryshe nga vendet e tjera, në Shqipëri nuk ka një zyrë rajonale që ta furnizojë vazhdimisht.”

Në mbledhjen e qeverisë është vendosur dhe për kalimin e një vendimi për dhuratat si dhe për rastet e përplasjes së interesave të nënpunësve të administratës civile. /tvklan.al