Zonat veriore dhe juglindore janë përfshirë nga dëbora këtë të dielë. Në Bogë-Theth dhe Qarkun e Korçës janë regjistruar reshje më të dendura.

Reshjet e borës dhe ngricat u bënë shkak i këtij aksidenti në Rrugën e Kombit, por pa pasoja për jetën.

Autoriteti Rrugor bën të ditur se në disa akse rrugore në veri e juglindje të vendit vijon të ketë prezencë të dëborës dhe se mjetet borëpastruese vijojnë punën për pastrimin e rrugëve dhe shpërndarjen e kripës.

Mëngjesi i sotëm ka sjellë reshje dëbore edhe në Qarkun e Dibrës. Kësaj here dëbora zbriti deri në qytetin e Peshkopisë.

Temperaturat janë ulur deri në 0 gradë Celsius. Në Tiranë dhe në Ultësirën Perëndimore reshjet ishin në formën e shiut.

Në aksin rrugor Berat-Poliçan dhe Poliçan-Skrapar ka rrëshqitje dherash dhe gurësh. Për pasojë qarkullimi i mjeteve po bëhet vetëm në njërin krah.

Në Durrës, kapiteneria e portit urdhëroi mjetet vogla lundruese të mos dalin në det.

Sipas MeteoAlb dëbora do jetë prezente në zonat malore deri të enjten.

Sa i përket shiut parashikohet që dita e Hënë të sjellë ndërprerje, për t’u rikthyer të martën. Muaji Prill pritet të mbyllet me mot të paqëndrueshëm, madje edhe java e parë e Majit sipas MeteoAlb do të ketë prezencë të reshjeve të shiut.

Tv Klan