Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka dhënë një deklaratë për mediat mbi situatën e furnizimit me energji elektrike në të gjithë vendin. Gjatë fjalës së saj, Balluku është shprehur se pavarësisht se i gjithë vendi tanimë furnizohet me energji elektrike, vazhdojmë të jemi në një zonë rrezikshmërie të lartë pasi volumet e transmetimit në linjat e interkoneksionit janë shumë të mëdha.

Belinda Balluku: Ndodhem në këtë komunikim publik për të ju informuar mbi një situatë kritike me të cilën jemi përballur pak orë më parë sa i përket sistemit të transmetimit të energjisë elektrike në vendin tonë. Duke u nisur nga linja e interkoneksionit midis Shqipërisë dhe Greqisë, e cila pati një avari dhe më pas në efekt kaskade, kemi pasur shkëputje të energjisë elektrike në të gjithë Shqipërinë. Nga ana tjetër, jemi informuar nga operatorët e tjerë të transmetimit në rajonin tonë se e njëjta situatë ka ndodhur dhe në Malin e Zi dhe pjesërisht në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë.

Nga analiza e parë, rezulton se volumet e mëdha në sistemin e transmetimit në këto momente, por gjithashtu edhe temperaturat shumë të larta në nivele rekord, kanë krijuar këtë lloj problematike teknike. Duhet thënë se nga puna e mirë që është bërë në terren, kemi arritur të rikuperojmë të gjithë shpërndarjen e energjisë elektrike përmes linjave të transmetimit në rang vendi brenda 30 minutash, ndërkohë që Tirana është rikuperuar në vetëm 17 minuta.

Pavarësisht se i gjithë vendi tanimë furnizohet me energji elektrike, vazhdojmë të jemi në një zonë rrezikshmërie të lartë pasi volumet e transmetimit në linjat e interkoneksionit janë shumë të mëdha në këto momente dhe nga ana tjetër, temperaturat do të jenë të tilla dhe në ditët në vazhdim. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë operatorët e tjerë të transmetimit në rajon për të bashkërenduar punën me ta dhe do të vazhdojmë të bëjmë analizën e duhur teknike për të gjetur problematikën dhe për ta mbajtur rrjetin të sigurtë.


/tvklan.al