Pas më shumë se 25 vite martesë, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi vendosën t’i japin fund martesës së tyre. Në nisje të mbledhes së kryesisë, kreu i Partisë së Lirisë shpjegoi arsyet që e çuan në dyert e gjykatës për zgjidhjen e martesës.

“Marrëdhëniet tona kanë pësuar një krisje të fortë që nga vendimi i saj si kryetare e LSI, për djegien e mandateve që u morën dhe sakrifica dhe gjak në një betejë të hapur me koalicionin e madh anti LSI dhe anti Meta të 17 Majit, të Prindit 1 dhe Prindit 2. Qëndrimet e vazhdueshme sistematike të saj, krejtësisht në krah të kundërt, të kauzave që unë mbroj, dhe që krijojnë konfuzion dhe paqartësi në publikun e gjerë, duhet të merrnin fund”.

Meta mohoi që shkak i ndarjes mes tyre të jetë një grua tjetër, por thotë se vendimin e mori për t’i shërbyer një kauze që  tejkalon interesin personal.

“Ky vendim i imi, nuk lidhet me rolin dhe raportet me të si grua, apo si nënë e 3 fëmijëve tanë të mrekullueshëm. Nuk po ndahem me një grua, për një grua tjetër. Por, për të përmbushur kauzat që unë mbroj, dhe për të cilat kjo marrëdhënie ishte kthyer në një pengesë serioze. E mora këtë vendim për t’i shkuar deri në fund betejës me mafian, e cila peng marrjen dhe shantazhin e ka në natyrën e saj më të errët dhe të ndyrë”.

Prej kohësh çifti Meta-Kryemadhi nuk jetonin në një strehë të përbashkët, pavarësisht daljeve të përbashkëta publike.

Kryemadhi jo pak herë ka folur për mesazhe të koduara në adresë të ish-bashkëshortit të saj, i cili pas mbarimit të mandatit në presidencë e zhveshi nga çdo pozicion partiak, duke i marrë edhe drejtimin e LSI, të cilën i’a besoi kur u ngjit në karrigen e kreut të shtetit.

Por ky vendim i Metës përkon edhe me disa dosje që janë hapur në SPAK në lidhje me veprimtaritë e tyre, gjatë kohës kur kanë qenë në pushtet, si edhe dyshime që lidhen me pasurinë e për të cilat çifti që tanimë i dha fund martesës është thirrur për të dëshmuar në organin e akuzës.

Tv Klan