“BE e gatshme të bashkëpunojë me SHBA për marrëveshjen përfundimtare”

Ishte kundërshtar i pavarësisë së Kosovës, kryediplomati i BE-së, spanjolli Josep Borreli erdhi në Kosovë për të qartësuar pozicionin e Bashkimit Evropian karshi dialogut Kosovë-Serbi. Tha se bashkë me amerikanët do të punojnë për të mundësuar arritjen e marrëveshjes finale Prishtinë-Beograd.

“Amerikanët kanë shumë plane, për çdo gjë. Është tjetër gjë të kesh plan dhe tjetër gjë të angazhohesh që të kesh sukses. Ne kemi qenë të angazhuar dhe kemi shpenzuar 1 miliardë në Kosovë, por unë nuk po bëj garë me amerikanët. Ne do të punojmë bashkërisht dhe nuk do të ketë dallime mes nesh në zgjidhjen e problemeve. Nuk jemi këtu për t’ia hedhur fajin njëri-tjetrit. Nuk jemi larg procesit, por jemi në proces”.

Ndërsa kur u pyet për 5 vendet e BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, ai tha se nuk është detyrë e tij që t’i bindë ato për ta njohur Kosovën. Ndërsa Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se uniteti i Bashkimit Evropian dhe koordinimi i ngushtë me SHBA-në është çelësi i arritjes së marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi.

“E para që duhet të jetë jetike është ajo që BE të jetë unik në dialogun Kosovë-Serbi. Që të ndodhë suksesi real duhet të ndodh koordinimi i plotë mes BE-së dhe SHBA-së”.

Thaçi ka kritikuar ashpër BE-në, duke thënë se ka bërë gabim strategjik me mosliberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Derisa Borreli tha se nuk mund të premtojë se kur do të ndodh ajo, pasi varet kryekëput nga shtetet anëtare të BE-së. Ndërsa ka kërkuar formimin sa më të shpejtë të qeverisë së re të Kosovës.

Ai ka takuar edhe përfaqësuesit e partive politike. Por AAK-ja përfaqësohej nga Besnik Tahiri, ndërsa PDK-ja ka refuzuar të marrë pjesë në këtë takim. Borreli në kuadër të vizitës së tij në Kosovë po qëndron edhe në Obiliq dhe Prizren. Ai nesër pritet të vizitojë Beogradin.

Tv Klan