“Partizani rivali kryesor, Tirana rrezikon Evropën”

Vllaznia e humbi sfidën e fundit në kampionat, por pa rrezikuar kreun për momentin kur është luajtur gjysma e sezonit. Megjithatë një ish-futbollist i Superligës, si Rezart Dabulla mendon se duhet të bëjë kujdes.

“Me këtë humbje të bëjë edhe disa humbje të tjera, ky është rreziku ku rrëshqet pak këmba. Për fat të mirë Vllaznia ka 2 ndeshje të lehta në letër dhe mund të rikuperojë pikët që ka lënë”.

Dabulla e shikon Partizanin si rivalin kryesor të skuadrës shkodrane.

“Më afër nga të gjitha shikoj Partizanin. Ka bërë një merakto me lojtarë cilësore tani në janar. Nuk ka bërë gabime kur ka patur një ekip të cunguar për shkak të zhbllokimit të merkatos”.

Kampionen në fuqi Tiranën, ku ka luajtur dhe ka fituar shumë trofe, mendon se këtë sezon e ka të vështirë edhe përfaqësimin në Evropë.

“Do të dëshiroja shumë që Tirana të dilte kampion, por nuk është aty ku duhet të ishte, sigurisht për fajet e veta dhe rrezikon që të mos shkojë në Kupat e Evropës. Nëse do të shkojë ky sezon nuk do të jetë i dështuar”.

Rezart Dabulla identifikon edhe ekipet që rrezikojnë rënien një kategori më poshtë.

“Se cili do dalë nga kategoria do ta tregojë fundi i sezonit. Por unë shikoj të rrezikuar Skënderbeun dhe Apoloninë, ndërsa Bylisi në play out”.

Këtë fundjavë Superliga nis fazën e tretë.

Tv Klan