Qeveria e Merkel përballet me kritika, për moslajmërimin në kohë të qytetarëve

Ministri i Brendshëm gjerman Horst Seehofer hodhi poshtë kritikat se qeveria nuk kishte arritur të paralajmëronte njerëzit për përmbytjet e javës së kaluar.

Por Michael Theurer, një anëtar i vjetër i opozitës Demokratët e Lirë tha në një intervistë me agjencinë e lajmeve “DPA” se numri i lartë i të vdekurve zbuloi një dështim sistematik të qeverisë pasi popullsia nuk ishte paralajmëruar sa duhet.

Seehofer deklaroi se Shërbimi gjerman i Motit lëshoi paralajmërime për 16 shtetet e Gjermanisë dhe autoritetet lokale duhet të kishin marrë masat. Katastrofa më e madhe natyrore ka shkaktuar rreth 200 viktima, bilanci më i rëndë në gjashtë dekadat e fundit.

Përmbytjet kanë shkatërruar një pjesë të madhe të Evropës Perëndimore që nga e mërkura e kaluar, me shtetet gjermane të Rhineland Palatinate dhe North Rhine-Ëestphalia, si dhe pjesë të Belgjikës dhe Austrisë, midis vendeve më të goditura.

Shtete të tëra mbetën pa energji elektrike. Banorët u bllokuan në shtëpitë e tyre nga përmbytjet e mëdha dhe një numër shtëpish u shembën, duke shkaktuar dëme kolosale materiale.

Shkencëtarët kanë thënë prej kohësh se ndryshimi i klimës do të çojë në katastrofa më të mëdha. Por përcaktimi i rolit të ngrohjes globale në këto fenomene siç është rasti i Europës Perëndimore do të kërkojë kohë për t’u hulumtuar.

Klan News