◾Mbretëria e Bashkuar ka deklaruar se Rusia po rrit intensitetin e operacioneve ushtarake në Donbas.

◾Ministria e Mbrojtjes ka raportuar se Rusia po përpiqet të rrethojë qytetet Severodonetsk, Lyschansk dhe Rubizhne.

◾Ministri gjerman i ekonomisë thotë se BE është afër një marrëveshjeje që do të ndalonte importet ruse të naftës.

◾Ai shtoi se kjo nuk do të dëmtonte në mënyrë të menjëhershme Rusinë, të ardhurat e së cilës nga eksportet e naftës janë rritur për shkak të çmimeve të larta.

◾Presidenti i Ukrainës, Zelensky tha për Forumin Ekonomik Botëror në Davos që të ushtrojë presion të mëtejshëm ndaj Moskës.

Zelensky: Po zhvillohet masakër në rajonin e Donbasit

Rusia po rrit operacionet ushtarake në rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës. Përmes një video-fjalimi, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se forcat ruse kanë organizuar një masakër në Donbas, duke u përpjekur që të shkatërrojnë çdo gjë në rajon.

Severodonetsk, qyteti më i madh nën kontrollin ukrainas në provincën Luhansk, ka parë së fundmi disa nga luftimet më të ashpra të konfliktit deri më tani pasi forcat ruse kërkojnë të rrethojnë qytetin.

Në një fjalim drejtuar udhëheqësve të biznesit dhe politikës globale në Davos, Zelensky vuri në dukje se trupat ruse kishin 20 herë më shumë pajisje në Donbas sesa Ukraina. Ai theksoi se Ukraina ka nevojë për armë me rreze të gjatë për të parandaluar humbjet.

Qyteti ukrainas që i reziston pushtimit rus

Kur forcat ruse mbërritën në qytetin jugor të Ukrainës, Melitopol në muajin Shkurt, ata u ndeshën me rezistencë të ashpër nga banorët.

Vendasit u përpoqën të bllokonin automjetet e blinduara dhe njerëzit valëvitnin flamujt ukrainas ndërsa trupat ruse u futën për të pushtuar qytetin. Kur trupat filluan të shtypnin protestuesit, lëvizja e rezistencës u zhvillua dhe më shumë dhe u shfaqën grupe të reja.

Këto grupe janë ende aktive. Javën e kaluar, një tren i blinduar rus thuhet se doli nga shinat, ndërsa disa  ushtarë rusë u gjetën të vdekur në rrugë disa ditë më parë.

Ivan Fedorov, kryebashkiaku i Melitopolit, thotë se këto sulme janë organizuar nga grupe partizane.

“Është puna e partizanëve tanë, shërbimeve tona sekrete dhe ushtarëve tanë. Ata e bëjnë këtë punë së bashku”, u shpreh ai për BBC News.

Ministri gjerman: Pritet brenda ditësh embargoja e BE-së ndaj naftës ruse

Ministri gjerman i ekonomisë, Robert Habeck tha se Bashkimi Evropian është afër një marrëveshjeje për një embargo ndaj importeve ruse.

“Ne do të arrijmë një përparim brenda ditëve,” tha Habeck.

Nga ana tjetër, ai shtoi se një ndalim i tillë nuk do ta dëmtonte në mënyrë të menjëhershme Rusinë.

Sjellim në vëmendje se Rusia furnizon 40% të gazit natyror të BE-së dhe 27% të naftës së saj të importuar dhe BE-ja i paguan vendit afërsisht 400 miliardë euro në vit për këtë furnizim.

Po ashtu, BE-ja ka njoftuar plane afatgjata për të mos u mbështetur plotësisht te nafta dhe gazi rus, por për t’u zhvendosur në përdorimin e energjisë së gjelbër.

Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar: Rusia po intensifikon operacionet në Donbas

Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar në përditësimin e përditshëm të inteligjencës thotë se Rusia po rrit intensitetin e operacioneve të saj ushtarake në rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës.

“Forcat ruse po kërkojnë të rrethojnë Severodonetsk, Lyschansk dhe Rubizhne. Ka pasur rezistencë të fortë ukrainase me forcat që kanë zënë pozicione mbrojtëse. Megjithatë, Rusia ka arritur disa suksese të lokalizuara, pjesërisht për shkak të përqendrimit të njësive të artilerisë,” thuhet në raportimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar.

Sipas ministrisë, marrja e Severodonetsk nga Rusia do të bënte që i gjithë rajoni i Luhansk të vihej nën pushtimin rus.

REDAKSIA TVKLAN.AL