Moti i ftohtë që ka përfshirë sërish vendin ka shënuar dy viktima. Një 53-vjeçar nga fshati Selcë e Sipërme të Pogradecit është gjetur pasditen e së dielës i ngrirë në dëborë. Viktima Ajet Zikollari kishte shkuar në një fshat tjetër për të marrë ushqime, por nuk arriti të kthehej. Ndërsa një endacak është gjetur i pajetë në një bodrum pranë portit të Durrësit. Viktima është identifikuar si Viktor Dhima dhe njihej si konsumues i rregullt i alkoolit.

Në malin e Cukës në Llogora, njësia shëndetësore e Bazës Ajrore Farkë ka kryer një mision spektakolar duke sfiduar terrenin dhe kushtet e motit në shpëtimin e një alpinisteje 31-vjeçare të dëmtuar.

Më shumë se 60 fshatra në Dibër vazhdojnë të jenë të bllokuar dhe nuk kanë asnjë komunikim me qytetin. Për këtë qëllim, Prefekti i Dibrës mblodhi  Shtabin e Emergjencave, drejtuesit e institucioneve kryesore si dhe kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve. Qarkullimi në rrugët nacionale bëhet vetëm me zinxhir.

Edhe në qarkun e Elbasanit janë rikthyer problemet në zonat malore me rinisjen e reshjeve të dëborës. Fshatra të thellë malorë janë të izoluar.

Aksi rrugor Elbasan-Qafëthanë është i hapur por drejtuesit e automjeteve duhet të mbajnë zinxhirë me vete.

Të izoluar nga dëbora, janë edhe zonat e thella të Kukësit, Dukagjini dhe disa fshatra të thellë në Gjirokastër.

Rrugët nacionale janë të gjitha të hapura. Në disa prej tyre kalimi bëhet me zinxhir.

Përkeqësimi i kushteve të motit ka bërë që shumë shkolla të pezullojnë sërish procesin mësimor në Dibër, Elbasan, Kukës, dhe Gjirokastër.

Tv Klan