Kjo video amatore mbështet dyshimet e disa vendeve perëndimore se avioni ukrainas i rënë të mërkurën në Teheran, ku humbën jetën 176 personat në bord, është goditur me raketa nga Irani. Në xhirim duket qartë një top i zjarrtë që godet avionin, që më pas përfshihet nga flakët. Ndërsa këto pamje të publikuara së fundi janë xhirime të kamerave të sigurisë, ku tregohet momenti i rënies së avionit pranë një zone të banuar 10 kilometra larg aeroportit të Teheranit.

Bazuar në të dhënat e shërbimeve sekrete, kryeministri kanadez Justin Trudeau hodhi dyshime se avioni mund të jetë goditur në mënyrë të paqëllimshme nga sistemi i mbrojtjes raketore iraniane.

“Kemi të dhëna nga burime të ndryshme të shërbimeve të zbulimit, përfshirë edhe ato të aleatëve tanë por edhe tonat. Evidencat tregojnë se avioni është goditur nga një raketë iraniane tokë-ajër. Kjo mund të ketë qenë e paqëllimshme”.

Këto dyshime u mbështetën më herët edhe nga presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministri britanik Boris Johnson. Sipas mediave amerikane, dyshimet bazohen tek të dhënat satelitore që kanë konstatuar praninë e një rakete në ajër, para rënies së avionit. Pranë zonës ku ra avioni ndodhet edhe një bazë e gardës revolucionare iraniane, ku mendohet të jetë pozicionuar sistemi i mbrojtjes raketore ajrore.

Ky videoanimim tregon mënyrën si është goditur me raketa avioni. Në qytezën pranë bazës është gjetur një mbetje rakete, pozicioni i të cilës përputhet me trajektoren e goditjes. Irani mund ta ketë ngatërruar avionin civil ukrainas me një avion ushtarak amerikan, që ka shkelur hapësirën ajrore dhe e ka goditur.  Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski u kërkoi liderëve perëndimorë informacione për këtë ngjarje. Ndërsa kreu i aviacionit iranian tha se rasti është nën hetim dhe se nuk besonte se avioni ishte goditur nga raketa.

Tv Klan