MSH: Pritet rritje e rasteve, kufizoni lëvizjet

Shkon në 10 numri i personave të prekur nga koronavirusi në vendin tonë. 4 prej tyre po mbahen nën kujdesin e mjekëve ndërsa 6 janë në vetëkarantimin në shtëpi, pa shenja klinike.

“Deri tani janë testuar në Institutin e Shëndetit Publik 114 raste të dyshuara, prej të cilëve vetëm 10 janë pozitive. Bëhet fjalë për dy të sëmurët e parë të deklaruar dhe 6 persona të tjerë, kontakte të ngushta të këtyre të sëmurëve, si dhe dy raste të reja të palidhura me dy rastet e para”.

Rastet e të infektuarve pritet të shtohen, ndaj edhe nga përfaqësuesit e Task Forcës apelohet për respektim të masave higjienosanitare dhe rregullave të përcaktuara.

“Ka një kontradiktë mes panikut të shtuar dhe sjelljes që qytetarët kanë. Duhet të evitoni ambientet me grumbullime, të respektoni distancën një metër, të minimizoni përdorimin e transportit publik, të kafeneve, të restoranteve. Të shmangni daljet e panevojshme”.

Instituti i Shëndetit Publik ka rritur numrin e testimeve, duke siguruar që janë gati për të përballuar çdo fluks në rritje. Ekspertët e Shëndetësisë po bëjnë testime në të gjitha kontaktet e ngushta të tre rasteve me koronavirus që nuk kanë lidhje me njeri-tjetrin. Aktualisht është vendosur karantinimi i detyrueshëm për personat si kontakte të ngushtë të rasteve të konfirmuara me COVID-19.

Tv Klan