Qytetarët: Do të gjejmë rrugë të tjera

Vendimi i qeverisë për pezullimin e fluturimeve në drejtim të Italisë së Veriut dhe anasjelltas për shkak të koronavirusit ka sjellë kaos në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Rinas.

“Menjëherë pas hyrjes në fuqi të vendimit janë anuluar fluturimet me 9 qytete të Italisë së Veriut, pjesë e zonës së kuqe. Ky vendim i ka gjetur të papërgatitur pasagjerët, një pjesë e të cilëve kishin kaluar check in dhe kontrollet e ndryshme”.

Pezullimi i menjëhershëm i fluturimeve i ka revoltuar udhëtarët. Një pjesë e tyre thonë se do të provojnë të ikin në të tjera rrugë. Në vështirësi janë vënë edhe pasagjerët italianë, që duan të kthehen në shtëpitë e tyre.

“Erdha për 3 ditë në Shqipëri e tani nuk më lënë të iki. Do të humbas punën, është kosto për mua, nuk di ku të shkoj“, tregon një prej tyre.

Pezullimi i menjëhershëm i fluturimeve në drejtim të Italisë i ka gjetur të papërgatitura kompanitë ajrore. AlbaWings reagoi menjëhere.

“Edhe AlbaWings e shumë kompani të tjera i kanë reduktuar fluturimet me 50% frekuencat në zonat e afektuara. E paqartë përse në listën e destinacioneve të pezulluara janë edhe aeroportet që nuk i përkasin zonës së kuqe”.

Më vendim qeverie, deri në 3 Prill janë anuluar të gjitha fluturimet drejt qyteteve kryesore të Italisë së Veriut. Fluturimet vazhdojnë normalisht vetëm në drejtim të Romës dhe Barit.

Tv Klan