Televizioni shtetëror iranian publikoi pamjet e një lëshimi të dështuar satelitor të dielën, dështimi i fundit i programit hapësinor të Iranit.

Lëshimi u bë nga qendra hapësinore në Semnan, rreth 230 kilometra në juglindje të Teheranit.

Sipas televizionit shtetëror, raketa nuk arriti ta dërgojë satelitin e komunikimit Zafar 1 në orbitë, sepse nuk e arriti shpejtësinë e duhur.

Zëdhënësi i programit hapësinor të ministrisë së Mbrojtjes, Ahmad Hosseini, i tha televizionit shtetëror iranian se “sateliti u shkëput me sukses nga transportuesi i tij, por në fund të rrugës nuk arriti shpejtësinë e kërkuar për t’u hedhur në orbitë,”

Zëdhënësi Hosseini megjithatë tha se lëshimi ishte një arritje “e jashtëzakonshme” për programin hapësinor të Iranit.

Përpjekjet u bënë në një kohë tensionesh të larta me Shtetet e Bashkuara, që vranë më 3 janar komandantin ushtarak iranian Qassem Soleimani, në një sulm ajror në Bagdad. Irani u kundërpërgjigj me një sulm me raketa ndaj një baze ushtarake amerikane në Irak.

Ministri iranian i Informacionit dhe Teknologjisë së Komunikimit Mohammad Javad Azari-Jahromi tha të dielën para provës se fotografia e parë që do të transmetojë sateliti do të jetë ajo e gjeneral Soleimanit.

Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se teknologjia e raketave balistike me rreze të gjatë veprimi, që përdoret për të hedhur satelitët në orbitë, mund të përdoret gjithashtu për lëshimin e raketave me mbushje bërthamore.

Teherani thotë se nuk po prodhon armë bërthamore dhe mohon që programi i tij hapësinor të jetë një maskim për një gjë të tillë. /VOA