Ishte shumë pranë titullit kampion në Serinë A, por si gjithmonë në fund ishte Juventusi që festoi. Edhe në sezonin e ri Napoli do të kërkojë të mundë rivalitetin e kampionëve italianë dhe për të arritur triumfin Elseid Hysaj ka recetën e duhur për skuadrën e tij. Sipas mbrojtësit të kombëtares shqiptare, ekipi duhet të marrë shembull nga ekipi kuqezi, që megjithëse përballë rivalëve me më shumë kualitet arriti të kualfikohet në Euro 2016, madje edhe të arrijë një fitore historike në këtë turne.

Elseid Hysaj, mbrojtës i Napolit:

“Ne mund të përballemi me të gjitha skuadrat. Njëlloj si Shqipëria. Ne nuk jemi lojtarë shumë të njohur, por fituam një ndeshje dhe mund të fitonim të tjera. E them këtë pasi futbolli është i çuditshëm dhe nuk do të thotë asgjë të kesh lojatër të  veçantë,pasi grupi është më i rëndësishëm”.

Hysaj ka nisur stërvitjen me Napolin, ndërsa kjo javë është vendimtare për rinovimin e kontratës së tij.  Mbrojtësi pritet të ketë një rritje të ndjeshme në të ardhurat e tij, ndërsa Napoli ka shtuar një klauzolë që largon futbollistin nga merkato.

Tv Klan