“Kufijtë do jenë të hapur derisa BE të mbajë premtimet”

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan i krahasoi grekët me nazistët për mënyrën si po i trajtojnë refugjatët sirianë që janë dyndur në kufirin e tyre nga Turqia. Komentet i bëri gjatë një mbledhjeje me grupin parlamentar të partisë së tij në Ankara, ku tha se portat për refugjatët që synojnë vendet e BE-së, nuk do të mbyllen deri kur BE të mbajë premtimet.

“Nuk ka asnjë dallim mes pamjeve që shihen në kufirin me Greqinë dhe asaj çfarë kanë bërë nazistët”.

Akuzat, kreu i shtetit turk i mbështet tek mënyra e reagimit nga forcat kufitare greke, që kanë përdorur gaz lotsjellës dhe kanë përdorur armë kundër emigrantëve. Ankaraja akuzon forcat greke për vrasjen e disa emigrantëve, pretendim të cilin Athina e mohon.

Në fjalimin e tij, Erdogan tha gjithashtu se Turqia nuk do të tërhiqet nga sulmi ndaj trupave të Asadit në Idlib, në rast se shkelet armëpushimi i arritur me Moskën javën e kaluar. Valën e fundit të refugjatëve sirianë e ka shkaktuar sulmi i trupave të Assadit muajt e fundit, në Idlib, atje ku ushtria e Damaskut lufton kundër forcave opozitare të mbështetura nga Turqia.

Tv Klan