Kompania Suning shpërndanë Jiangsu, ankth te Interi

Ajo që i trembeshin të gjithë ndodhi. Kampionët e Superligës kineze, Jiangsu FC janë një hap larg shkrirjes. Kriza financiare që ka goditur fort shoqërinë Suning Holdings Group që zotëron aksionet e klubit kinez, njëkohësisht pronare dhe e klubit italian të Interit ka shtyrë kompaninë e pajisjeve elektronike që të shpall falimentin.

Lëvizje që vjen vetëm 108 ditë nga dita më e lumtur e këtij klubi, pasi për herë të parë u shpall kampion në elitën e futbollit kinez. Por duket se gjërat janë ndryshe dhe se kriza godet edhe kampionët.

Klubi, i njohur si Jiangsu Suning kërkoi blerës të mundshëm për skuadrën, aksionet e të cilës mund t’i blije edhe për vetëm një cent, me kushtin që të paguheshin 64 milionë euro borxhe. Ky plan dështoi, ashtu siç edhe afati i regjistrimit në kampionat për sezonin 2021. E në të tilla kushte ekipi u shpërnda.

Kompania Suning po përballet me një situatë të pasigurtë financiare që nga sezoni i kaluar, duke iu detyruar lojtarëve rrogat dhe bonuset e firmosura në marrëveshje. Situatë që alarmon Interin, por që mediat aziatike pohojnë se me këto ritme, falimenti i zikaltërve nuk parashikohet të jetë i shpejtë.

Klan News