Çarls Leklerk do të niset nga vendi i parë në garën e Çmimit të Madh të Singaporit, teksa shumë larg kreut u pozicionua kampioni në fuqi, Maks Vershtappen. Piloti i Ferrarit vendosi kohën më të shpejtë në pistën e “Marina Bay”, duke hedhur kandidaturën për të fituar garën që mungonte prej dy vitesh në kalendarin e Formula 1 për shkak të pandemisë së Covid-19. Leklerk e ndali kronometrin në kohën 1 minutë 49 sekonda e 412 të qindat.

Pas pilotit të kokëkuqes do të niset meksikani i Red Bull, Serxhio Perez, i cili bëri një paraqitje të mirë në pistë, duke e distancuar shumë pak të qindat nga kreu. Luis Hamilton me Mercedez do të niset nga pozicioni i tretë, teksa në krah në linjën e dytë të startit do ketë Ferrarin e pilotit Karlos Sainz.

Shumë larg nga vendi i parë gjendet kryesuesi i kampionatit, Maks Vershtapen. Holandezi do të niset nga vendi i tetë në këtë garë, për të ndërlikuar jo pak shanset për triumf dhe njëkohësisht për të siguruar para kohe titullin kampion të Formula 1.

Klan News