Presidenti malazez takon Osmanin: Pro Kosovës në KiE

Me nderime të larta është pritur në Prishtinë presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç. Ai pas takimit me presidenten Vjosa Osmani ka shprehur qëndrime të kundërta me kryeministrin e ri të Malit të Zi, Dritan Abazoviç për dy çështje të rëndësishme, rishikimin e demarkimit të kufirit me Kosovën dhe çështjen e Ballkanit të Hapur. Gjukanoviç e ka lënë të hapur mundësinë për ta korrigjuar marrëveshjen e demarkimit të kufirit ndërmjet këtyre dy vendeve.

“Kjo çështje mund të konsiderohet problematike vetëm për dikë që dëshiron të krijojë probleme, ne s’dëshirojmë që të krijojmë probleme në asnjë nga adresat tona dhe jam i sigurt që do t’i përmbahemi dokumenteve që kemi nënshkruar dhe se përmes punës së komisionit të përbashkët për demarkacion do të krijojmë kushtet e domosdoshme për korrigjime për të cilat do të pajtohemi që do të kontribuojë që ky kufi në demarkacionin e tij të jetë i logjikshëm dhe të jetë ashtu siç duhet të jetë dhe të mos shërbejë si burim i mosmarrëveshjeve dhe rrezikimit të marrëdhënieve tona”.

Ndërsa duke folur për Ballkanin e Hapur ka thënë se më shumë e përkrah procesin e Berlinit i cili ka standardet e Bashkimit Evropian të bashkëpunimit.

Mesazhi im është që në vend të nevojës që të krijojmë iniciativa të reja të përpiqemi t’i shfrytëzojmë maksimalisht potencialin e iniciativave ekzistuese, prandaj në Mal të Zi kemi vendosur që të mos të ngutemi në iniciativën e Ballkanit të Hapur por t’i vazhdojmë bashkëpunimin brenda procesit të Berlinit”.

Gjukanoviç i ka dhënë përkrahje Kosovës për anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Ai ka takuar edhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca ndërsa do të qëndrojë në Kosovë deri të enjten.

Tv Klan