Dy ish-deputetët socialistë Arben Ndoka dhe Arben Çuko të arrestuar gjatë operacionit “Vol-Vo 4” janë liruar nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda.

Togat e zeza vendosën të ndryshojnë masën e sigurisë për ta nga arrest me burg në arrest shtëpie. Ndoka akuzohet për tjetërsimin e pronave në bregdetin e Lezhës. Ndërsa Çuko për korrupsion pasi Prokuroria dyshon se ka transferuar një të burgosur kundrejt ryshfetit, kur ai ishte në krye të Drejtorisë së  Burgjeve. Gjykata ende nuk ka argumetuar vendimin dhe këtë të enjte u lexua vetëm dispozitivi. E njëjta masë u vendos edhe për Elis Gurin, Zef Lazrin, Paulin Simonin dhe Ardit Gjyriqin.

Gjithashtu për 4 persona të tjerë u caktua masa e sigurisë detyrim paraqitje. Nga 34 të arrestuarit në total të aksionit “Vol-Vo 4”, në qeli kanë mbetur vetem 18.

Apeli ka lënë të pandryshuar masën e sigurisë arrest me burg për pjesëtarët e grupit të Shijakut, atij të Fierit dhe Sarandës. Në qeli ka mbetur edhe Gjevi Ndoka, vëllai i ish-deputetit Arben Ndoka.

Tv Klan