Gjatë fundjavës, uragani mesdhetar i pagëzuar me emrin “Medicanes” apo “Zorbas” nga autoritetet greke pritet të godasë rëndë bregdetin e Greqisë, por edhe vende të tjera si Italia dhe disa vende të Afrikës veriore. Kjo lloj stuhie shfaqet dy herë në vit në ujërat mesdhetare.

Stuhia nuk është e një fuqie të njëjtë me ato të regjistruara në brigjet amerikane, por meteorologët paralajmërojnë për kujdes të shtuar. Shërbimi italian i motit njoftoi se uragani me emrin “Zorbas” ka shumë gjasë të shndërrohet në një tajfun, me erëra që do të arrijnë shpejtësinë deri 160 km/orë.

Autoritetet greke, vend i cili mund të ketë pasojat më të mëdha, janë përgatitur për më të keqen dhe kanë evakuuar disa zona. Dallgët në afërsi të brigjeve helene mund të arrijnë deri në 10 metra, sipas meteorologëve. Pavarësisht se nuk ka mbërritur ende, erëra të forta janë regjistruar në disa zona të Greqisë ku ka pasur dhe dëme materiale.

Kjo situatë ka shkaktuar probleme të shumta. Transporti detar i pasagjerëve thuajse është paralizuar, pasi shumica e linjave nuk funksionojnë. Në qytete të ndryshme të vendit, zona të shumta kanë pasur ndërprerje të energjisë elektrike. Këto ndërpreje janë shkaktuar kryesisht nga rrëzimi i pemëve që kanë shkatërruar shtyllat apo prerë kabllot e korrentit.

/abcnews.al