Rubrika “Shihemi në gjyq”, në Tv Klan solli ditën e sotme konfliktin midis dy bashkëshortëve, të cilët prej 4 muajsh nuk jetojnë më së bashku. Shkak për këtë është bërë një debat që Vasilika ka me vëllezërit e saj për një tokë. Sipas Vasilikës, bashkëshorti Guri nuk mbron atë, por vëllezërit e saj dhe prandaj ajo e ka përzënë nga shtëpia.

Problemi i Vasilikës me familjes e saj ka të bëjë me një pronë, që ajo e ka marrë sëbashku me 2 vajzat e saj, por që sipas saj vëllezërit përmes dokumenteve të falsifikuara ia kanë marrë.

Në studio, ajo përmend disa emra si të përfshirë në këtë situatë. Zonja Eni Çobani realizoi një lidhje telefonike me njërin prej tyre dhe ai u shpreh se toka po shfrytëzohet nga zonja Vasilika, se ajo e ka mbjellë dhe madje një pjesë e ka dhënë me qira.

Por konfilkti me vëllezërit thellohet edhe më tej, sepse Vasilika ngre pretendimin se ata i kanë marrë edhe 2 vajzat nga martesa e mëparshme dhe prej vitesh ajo nuk takohet me to.

Eni Çobani: Vasilika të mos i ngatërrojmë të dy problematikat, sepse dhe për publikun tani do jetë më e qartë. Vasilika ka qenë e martuar përpara se të martohej me Gurin. Ka pasur një martesë tjetër dhe ka patur dy vajza. Mesa ajo më ka thënë, të dy vajzat kanë baballarë të ndryshëm, por ky është një problem i Vasilikës, që ne nuk kemi pse të hyjmë. Vajzat, nga momenti kur është lidhur në martesë me Gurin, ia kanë marrë vëllezërit. Arsyet pse Vasilika i ka lejuar vajzat që të shkojnë tek vëllezërit, ky është prapë dhe një problem i brendshëm familjar, apo jo Guri? Ti më ke thënë që ato kanë ardhur dhe kanë marrë vajzat.

Vasilika: I morën me forcë vëllezërit!

Eni Çobani: Vajzat kanë qenë në moshën 7 vjeç dhe 14 vjeç. Më pas, vajza e madhe që unë s’dua ti përmend emrin, në respekt edhe të komunikimit me të, nëse ajo preket nga ky diskutim është e ftuar të vijë. Pretendohet se vajzën e madhe, dajat, sipas pretendimit të Vasilikës, që mua më vjen rëndë ta them, e kanë shitur në një familje po aty dhe më pas e kanë çuar në Itali. Tani ky është një pretendim i Vasilikës. Zonja ka bërë disa herë kallëzime për këta dy vëllezër dhe prokuroria me të drejtë ka thënë: Zonjë ju nuk keni prova, për të vërtetuar që dy vëllezërit tuaj i kanë marrë vajzat dhe i kanë shitur. Atëherë ne nuk mund t’i qëndrojmë më këtij pretendimi, por sigurisht ne i bëjmë thirrje dy vajzave të tyre, që të vënë dorën në zemër dhe të shikojnë që kanë nënën e tyre përballë dhe të afrohen dhe të qëndrojnë afër. Ju nga lidhja me Gurin keni 3 djem apo jo?

Vasilika: Po, 3 djem!

Eni Çobani: Gjithsej juve si nënë keni 5 fëmijë. Këto dy vajza e kanë lënë, arsyet janë private dhe personale dhe nuk dua të hyj. Në këto kushte, ju çfarë ndihme keni dhënë, që këto dy vajza të afrohen me nënën? Se unë e di që ato bëhen me dajat dhe jo me nënën?

Guri: Kur kam ardhur unë, i kam gjetur dy vajza. Një vajzë e kam gjetur 14 vjeç dhe një 7 vjeç. Vajzën e madhe, 14-vjeçare, na e mori vëllai, na e fejoi.

Eni Çobani: Si e mori Guri?

Guri: E mori me forcë, s’futesha dot, se unë s’kisha një javë që isha në shtëpi.

Eni Çobani: Nëqoftëse ju nuk e vërtetoni dot këtë gjë, nuk mund ta thoni sepse edhe ato dajat ishin, nuk ishin bota./tvklan.al