“Është hera e parë që kontribuoj në misionet jashtë vendit, bëj pastrimin e zonave të infektuara me municione të paplasura. Gëzuar Shqipëri 10 vjetorin në NATO!”

Ky ishte mesazhi i fundit i efektives së Forcave të Armatosura, Zarife Hasanaj, dhënë në fund të Marsit, pak ditë përpara 10 vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.. 32-vjeçarja ndërroi jetë mëngjesin e së hënës rreth orës 09:10 minuta, nga shpërthim i një mine gjatë misionit në bazën e NATO-s, Camp Adazi në Letoni, ku forcat shqiptare ishin të angazhuara me demontimin e municioneve. Nga shpërthimi u plagosën edhe Komandanti i Kontigjentit, Major Klodian Tanushi dhe Rreshter Julian Kapaj.

Zarife Hasanaj, me origjinë nga Tropoja, prej disa kohësh jetonte me prindërit në zonën e Babrrusë në Tiranë. Ajo ishte bërë pjesë e misionit në Dhjetor të vitit 2018, për të shërbyer për 6 muaj. Ky ishte grupi i katërt shqiptar në misionin e NATO-s në Letoni. Kontigjenti ynë përbëhet nga 18 deri në 23 ushtarakë, të cilët ndërrohen çdo gjashtë muaj. Shqipëria ka marrë pjesë për herë të parë në këtë mision në Qershor të vitit 2017 përkrah Kanadasë, Spanjës, Italisë dhe Sllovenisë, Poloni.

Zarife Hasanaj është viktima e dytë në radhët e Ushtrisë Shqiptare me mision jashtë vendit. Në 20 Shkurt të vitit 2012 u vra në provincën e Kandaharit në Afganistan, Kapiten Feti Vogli. Ai humbi jetën gjatë një shkëmbimi zjarrit, teksa trupat shqiptare po shoqëronin një mision të USAID-it.

Tv Klan