Rasul Mislaev, rusi i arrestuar dy ditë më parë për terrorizëm është lënë në burg nga Gjykata e Durrësit. Autoritetet shqiptare tashmë janë në pritje të dokumentacionit për të ekstraduar 34-vjeçarin drejt Rusisë.

Para gjykatës ai mohoi akuzat, duke sqaruar se kishte krijuar një organizatë me qëllim ndihmën e azilkërkuesve që ktheheshin nga Siria. Gjithashtu i riu kërkoi që të mos ekstradohej në Rusi, pasi atje i rrezikohet jeta.

Mislaev, me origjinë nga Çeçenia, i është bashkuar Shtetit Islamik në Siri në vitin 2013, ku edhe ka luftuar kundër forcave qeveritare. Pas shpërbërjes së këtij grupi rreth 1 vit më parë, ai ka hyrë në territorin shqiptar, si emigrant i paligjshëm.

Për shkak se ai nuk komunikonte dhe për shkak të shenjave në trup, Prokuroria e Krimeve të Rënda regjistroi një hetim për këtë rast. Ai u akomodua në qendrën e azilantëve në Karrec të Durrësit, ku edhe ka qëndruar deri tani.

Prokurori i çështjes Eugen Beçi nisi shenjat e gishtave dhe disa ekspertime të tjera drejt agjencive të sigurisë ndërkombëtare. Nga përgjigjet e mbërritura u vërtetua se 34-vjeçari akuzohej për terrorizëm nga Rusia dhe gjykatat e këtij vendi e kishin shpallur në kërkim.

Tv Klan