Koncesioni i “Sterilizimit”/ Ish-ministri: Lexova vetëm 15 fashikuj, kam kërkuar të pyetem sërish

Për gati 7 orë e gjysmë Ilir Beqaj u ngujua në mjediset e Prokurorisë së Posaçme për të lexuar aktet e dosjes. Këtë vendim ish-ministri i Shëndetësisë e mori pasi nuk pranoi të paguajë tarifën prej rreth 10 milionë lekë të vjetra për të marrë dosjen me 700 fashikuj, edhe pse ai është i akuzuar nga opozita për abuzime dhe përfitime miliona euro në shëndetësi. Pas daljes nga SPAK Beqaj sqaroi se ka bërë kërkesë të pyetet sërish nga hetuesit.

 “Lexova vetëm 15 fashikuj. Kemi paraqitur memot siç thashë para 10 ditësh. Kemi bërë kërkesa për veprime shtesë hetimore. Kemi bërë kërkesë që të jap deklarimet e mia dhe të pyetem sërish nga hetuesit. Legjislacioni i brendshëm i SPAK që rregullon kostot e procedurave është online. Në këtë fazë praktikisht kam pajtuar një avokat dhe deri në përfundim të gjyqit i përballon studio avokatisë. Dhe në fund bën faturat. Secili prej nesh në proces për të marrë vetëm një USB duhet të paguajë 10 milionë lekë. Këto janë tarifat në fuqi për të cilat jemi të detyruar të ndjekim atë proces që kemi filluar para disa javësh.”

Dita e premte është afati i fundit që Beqaj mund të dorëzojnë pretendimet për hetimet e Prokurorisë para se dosja të paraqitet në GJKKO për nisjen e gjykimit.

Ish-ministri është zyrtarisht i pandehur për dosjen e koncesionit të sterilizimit, ndërsa më 18 mars iu komunikua edhe akuza ‘shpërdorim detyre’. Për “Sterilizimin” janë marrë të pandehur edhe 8 të tjerë, mes të cilëve ish-zëvendësi i tij në Ministrinë e Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj që mori koncesionin e “Sterilizimit”, të dy në burg që prej gushtit të kaluar.

Klan News