Sokol Cikalleshi ka lajmëruar tërheqjen nga kombëtarja shqiptare e futbollit. Vendimi i tij vjen 24 orë pas listës paraprake me 27 lojtarë të publikuar nga trajneri i kuqezinvje Silvinjo, ku 33-vjeçari nuk u përfshi.

Në një reagim në profilin e tij në Instagram, Cikalleshi njoftoi se rrugëtimit të tij me përfaqësuesen i erdhi fundi.

“Ka qenë një krenari dhe emocion i papërshkrueshëm përfaqësimi i fanelës së ekipit kombëtar të futbollit. Ashtu siç, çdo fillim e ka një fund, edhe rrugëtimit tim me ekipin kombëtar të futbollit i erdhi fundi. Ndihem i lumtur për çka bëra gjatë këtij rrugëtimi, ku dhashë pa kursimimin më të vogël, pikën e fundit të djersës dhe shpirtin për të bërë më të mirën e mundshme.”

Lojtari ka edhe një dëshirë për kuqezinjtë me europianin që po afron.

“Falenderoj Zotin për gjithçka më ka dhënë në jetë, familjen për mbështetjen, tifozët Kuq e Zi që meritojnë shumë më shumë sesa ne kemi dhënë në fushën e blertë. Lutem Zotit që shokët që do të vijojnë rrugëtimin në Euro 2024 të kenë sukses dhe të bëjnë një paraqitje dinjitoze.”

Cikalleshi ka luajtur me përfaqësuesen shqiptare të futbollit në 59 takime. Me fanellën e përfaqësueses ai ka realizuar 13 gola.

Ai e nisi rrugëtimin me përfaqësuesen më 31 Maj të 2014 në miqësoren ndaj Rumanisë dhe u tërhoq pas një dekade.

Klan News