Në tunelin e Llogarasë kanë përfunduar rreth 88% e punimeve, si betonimi i tunelit kryesor në të gjithë gjatësinë e tij, ndërsa po vijon puna për detajet e tjera që janë pjesë e kësaj vepre.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar panë nga afër punimet në këtë vepër e cila do të jetë gati dhe e hapur për qarkullimin e automjeteve në nisje të sezonit turistik veror.

Belinda Balluku: Tuneli i Llogarasë do të hapet për akses të automjeteve, sigurisht me disa kushte sigurie pasi do të na duhet që ne të vazhdojmë punën në tetor. Kur të mbaroj fluksi do të mbyllet sërish, ashtu siç kemi bërë dhe me Orikum-Dukat, ashtu siç kemi bërë edhe me bypass-in e Vlorës, pra që ne i disponojmë për kalim gjatë verës, por i mbyllim në tetor për t’ju dhënë mundësi që të përfundojnë të gjitha detajet, sidomos edhe ato të parametrave brenda tunelit të emergjencës.

Balluku theksoi se këtë sezon nuk do të aplikohet asnjë tarifë për automjetet të cilat do të kalojnë përmes tunelit të Llogarasë.

Belinda Balluku: Deri në tetor do të funksionojnë normalisht, do të kemi disa kufizime përsa i përket shpejtësisë apo gjithçka tjetër. Policia do të jetë në monitorim të vazhdueshëm, në hyrje dhe dalje të tunelit. Këtë vit nuk do të aplikohet pagesa e tunelit pasi duhet të përfundojë i gjithë kantieri dhe parashikohet që të vazhdojë në vitet në vazhdim. Aplikimi i tarifës do të jetë pas vitit 2025 kur të dorëzohet ky si tunel i plotë bashkë me tunelin e emergjencës.

Në tunelin e Llogarasë po punohet me tre turne, ku krahas tij po punohet edhe për rrugët lidhëse të kësaj vepre, e cila do te shkurtojë ndjeshëm udhëtimin drejt rivierës së bregdetit të jugut.

Klan News