Tre shtete europiane njohën zyrtarisht shtetin e Palestinës, duke shënuar një fitore historike për palestinezët pavarësisht reagimit të Izraelit i cili po izolohet gjithnjë e më shumë në skenën ndërkombëtare politike.

Spanja, Norvegjia dhe Irlanda vendosën ta njohin Palestinën si shtet sovran e të pavarur dhe të krijojnë marrëdhënie të plota diplomatike.

Përfaqësues të tre vendeve thanë se një zgjidhje mes dy shteteve është mënyra e vetme që Izraeli e Palestina të jetojnë krah për krah në paqe e siguri dhe i bënë thirrje kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu të ndalojë kastastrofën humanitare në Gaza.

Të treja vendet shpresojnë se me vendimin e tyre do të nxiten edhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian të veprojnë njësoj.

Nga 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian, Suedia, Qiproja, Hungaria, Republika Çeke, Polonia, Sllovakia, Rumania dhe Bullgaria kanë njohur tashmë një shtet palestinez. Sllovenia pritet të njohë Palestinën të enjten ndërsa Malta po merr në konsideratë një vendim të tillë.

Vendimi i tre shteteve europiane vjen në një kohë kur tanket izraelite janë në qendër të Rafahut dhe kur një sulm i ri në perëndim të Rafahut vrau të paktën 21 palestinesë dhe plagosi dhjetra të tjerë në një kamp refugjatësh.