Zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko në një lidhje direkte me gazetarin e Klan News, Besard Jacaj dha detaje nga takimi i Kryeminstrit Rama në Milano, në kuadër të turit “Krenar për Shqipërinë”.

Kuko u shpreh se takimi në Milano me shqiptarët ishte me shumë energji, ku theksoi se pjesëmarrja ishte mbi kapacitetet e sallës ku u mbajt takimi. Ndër të tjera zëvendësministrja theksoi se në takim Kryeminsitri dha mesazhin e një platforme të qartë politike se si Shqipëria e shikon diasporën.

Romina Kuko: Ishte një takim i mrekullueshëm me shumë energji. Ajo sallë mbante një kapacitet të caktuar dhe ne kishim pjesëmarrje mbi kapacitetin gjë që kërkon edhe forca shtesë. Pati një moment kur për të ruajtur perimetrin e jashtëm një moment kur edhe dera e jashtme u mbyll për të sistemuar pak edhe pjesën e turmës, por mesa duket dëshira e shqiptarëve ishte e madhe për të ndjekur aktivitetin. Mund të themi që ishte një energji e madhe e të pranishmëve. Një festë e madhe dhe patjetër edhe mesazhet që kryeministri dha në fjalimin e tij ishin një platformë e qartë politike lidhur me mënyrën se si Shqipëria e sheh diasporën e saj në Itali, por edhe se çfarë jemi duke bërë me shtetin italian për mirëqenien e tyre.

Ndërsa sa i takon shpenzimeve për turin Kuko shprehet se kjo pjesë i përket Partisë Socialiste e cila ka fonde të caktuara për të përballuar këto shpenzime.            

Romina Kuko: Unë e kam zakon që nuk komentoj dhe përgjigjem çfarë opozita thotë. Mua më intereson kur debatojmë për axhendën sociale, për çështje që në fund të ditës janë në interes të qytetarëve. Ne e kemi thënë që takimi me diasporën vjen në kuadër të rienergjizimit të strukturave, të vetë axhendës që ne kemi lidhur me shqiptarët. Mbaruan takimet në Shqipëri në çdo qark dhe tani jemi duke takuar gjithë shqiptarët jashtë kufinjve. Kur vjen puna për pjesën e shpenzimeve i takon Partisë Socialiste që ka fonde të caktuara për të përballuar këto shpenzimeve. Mua nuk më duket se na duhet tu përgjigjemi këtyre komenteve që vijnë nga të qefmbeturit se pse Partia Socialiste mbledh kaq shumë njerëz në Itali dhe ata nuk mbledhin dot as 1 të 50 e tyre në Tiranë. Kjo çështja e marrjes me vete, puna e Greqisë e autobusave është çështje që mua më duket si ajo puna e kushëririt toksik të dasmës që nuk e ke vendosur në vendin e duhur dhe fillon pastaj mallkon aktivitetin. Kush merret me çështje autobusësh për çështjen e diasporës është tërësisht në autobus sepse ajo çka do të prisja unë është që gjëja që do të nxirrja në pah nuk do të ishte aktiviteti por do të thosha se çfarë nuk është bërë ende për këto njerëz, çfarë duhet bërë ende për këto njerëz.

Zëvendësministra u ndal edhe tek marrëveshja për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë dhe reagimet që solli, ku Kuko thekson se kjo marrëveshje e vendos Shqipërinë në pozitën e një vendi të pjekur që kontribuon në zgjidhjen e krizës së emigracionit në Europë.

Romina Kuko: E para kjo është një marrëveshje që e vendos Shqipërinë si një vend shumë të pjekur për të qenë pjesë e zgjidhjes së një krize që është kriza e emigracionit në Europë. Së shpejti ne do të kemi zgjedhjet për Parlamentin Europian që sondazhet tregojnë që forcat e ekstremit të djathtë po fitojnë terren duke anatemuar pjesën e axhendës së emigracionit. Duhet të kuptojmë që çështja e fobisë nga emigrantët është një çështje që ende ngjit shumë në diskursin dhe narativën publike. Por nga ana tjetër duhet të kuptojmë që kjo është një çështje humanitare. Kemi të bëjmë me qenie njerëzore që kërkojnë të largohen nga zona të konfliktit në kërkim të një jete më të mirë. Janë familjarë, fëmijë, prindër që kërkojnë një jetë më të mirë. Shqipëria është treguar si një vend që ka treguar një metodë, një model se si duhet trajtuar kjo çështje, duke ndërtuar këtë qendër dhe jo më kot ju e keni parë që edhe Giorgia Meloni ka thënë se 15 shtete kërkojnë që të zbatohet i njëjti model, jo në Shqipëri. Duket sikur është një beteje e vogël politike se sa si një çështje që realisht qëndron.

Ndërkohë sa i takon faktit që nëse Shqipëria do të firmosë marrëveshje të njejta me shtete të tjera Romina Kuko shprehet se konteksti i marrëveshjes me Italinë është shumë specific dhe strategjik teksa shtoi se kjo nuk do të thotë se Shqipëria mund të nënshkruajë marrëveshje të tilla me këdo.

Romina Kuko: Të kuptojmë pak kontekstin në të cilin kjo marrëveshje është nënshkruar. Nëse është bërë kjo marrëveshje është bërë të ndihmuar partnerin tonë strategjik matanë detit, për të lehtësuar sado pak barën e trajtimit të emigrantëve duke ndërtuar një qendër në Shqipëri. Kjo nuk do të thotë që çdo shtet duhet ta shoh Shqipërinë si një vend i cili mirëpret këdo. Patjetër që ne jemi një vend shumë mikpritës duke pasur parasysh edhe historikun tonë. Megjithatë konteksti me Italinë është shumë specifik dhe shumë strategjik. Le të fokusohemi tani në zbatimin e kësaj marrëveshje dhe në plotësimin e saj./tvklan.al