Vendos Skriniar, Gjimshiti më i miri në fushë te Atalanta

Inter ka hedhur një tjetër hap drejt titullit të 19-të të Seria A në historinë e klubit. Zikaltërit mposhtën në kryesfidën e javës së 26-të, Atalantën me shifrat 1-0. Inter u shfaq shumë racional përballë bergamaskëve, që në goditjen e parë dhe të vetme në portë arriti të mposhte Sportiellon.

Milan Skriniar shënoi golin e avantazhit dhe atë të fitores në minutën e 54 të takimit. Mbrojtësi përfitoi nga një pasiguri në mbrojtje për të sigluar fitoren zikaltër dhe për t’i dhënë tre pikë të arta në garën për titull.


“Luajtëm kundër një ekipi shumë të fortë që di të marrë pikë kundër skuadrave të mëdha. Atalanta e përgatiti me mençuri ndeshjen, sepse kishte frikë, sepse e dinte që mund t’i bënim keq. Kjo ishte arsyeja pse ata bënë më pak presion. Janë tre pikë shumë të rëndësishme,” tha Conte.

Fitorja e 7-të radhazi për Interin, që ruajnë diferencën prej 6 pikësh me Milanin dhe 10 pikë me Juventusin e vendit të tretë. Ndërkohë, për tu veçuar ishte paraqitja e mbrojtësit të kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti. Qendërmbrojtësi i Atalantës “dogji” në çdo duel Lukakun, duke u vlerësuar me notën 6.5 nga specialistët.

Klan News