Chiellini kthehet në stërvitje, Verrati e Locatelli në balotazh për formacionin

Italia duket e plotë para ndeshjes së raundit të një të tetave me Austrinë. Mbrojtësi Chiellini e sulmuesi Berardi janë bashkuar me grupin në stërvitje dhe pritet të jenë të gatshëm për duelin e radhës.

Lajme të mira për Roberto Mancini në prag të ndeshjes së raundit të 1/8-ave të Euro 2020 përballë Austrisë. Giorgio Chiellini është rikthyer në stërvitje me Italinë. Mbrojtësi është stërvitur veçmas nga pjesa tjetër e grupit, për t’u rikuperuar nga problemi në kofshën e tij të majtë, që e detyroi të humbasë ndeshjen kundër Uellsit.

Ditët e ardhshme janë vendimtare për të, me trajnerin Mancini që beson ta ketë në dispozicion për ndeshjen e së shtunës në “Wembley”. Me grupin është stërvitur sulmuesi, Domenico Berardi. Dyshimet e vetme për Italinë në prag të ndeshjes ndaj Austrisë është në mesin e fushës, me Verratti që sfidon Locatelli për një fanellë titullari, ndërsa Jorginho e Barella duket se e kanë vendin të sigurtë.

Klan News