Tirana do të festojë titullin pa tifozët

Superliga do të zhvillojë të mërkurën javën e fundit ku do të përcaktohet edhe renditja përfundimtare, ku mund të ketë lëvizje në pozicione. Tirana do të luajë me Bylisin në Air Albania ku do të ngrejë edhe trofeun e kampionit, ndërsa nuk do të ketë një festë me tifozët për shkak të masave Covid-19. Skënderbeu do të presë Partizanin në Korçë me synimin që ta mbyllë me një fitore kampionatin me shpresë që të ngjitet ndonjë shkallë më shumë në renditje dhe natyrisht për tifozët.

Ilir Daja (Trajner i Skënderbeut): Ajo që duhet të bëjmë duhet ta mbyllim me fitore. Ta fitojmë për tifozët që nuk do të jenë në stadium.

Skënderbeu mbetet ende pa përgjigje nga Gjykata Federale e Zvicrës për ankimimin për përjashtimin nga Kupat e Europës. Teuta do të luajë me Laçin me synimin për të mbrojtur vendin e katërt. Kukësi ende nuk e ka të sigurtë pozicionin e nënkampionit dhe duhet ta sigurojë përballë Luftëtarit në Gjirokastër. Vllaznia do ta ketë si test përballjen me Flamurtarin para sfidës së play out.