Hapja zyrtare e garës nga qeveria për koncesionin e kolaudimit të aparateve matës të karburanteve dhe gazit në pikat e tregëtimit me pakicë, ka ngjallur reagimin e Konfederatës së Industrive, e cila i druhet pasojave që do të sjellë për qytetarët privatizimi i shërbimit që aktualisht kryhet nga Drejtoria e Metrologjisë.

Në një reagim të saj, Konfindustria thotë se mungesa e plotë e përvojës së kompanisë, që ka fituar bonusin qeveritar në garën e koncesionarit hap shteg për abuzime në dëm të konsumatorëve.

“Në mungesë të masave kontrolluese, rrezikohet të kalohet në monopol privat me pasoja të rënda për qytetarët, bizneset, buxhetin e shtetit dhe konkurencën ndërmjet operatorëve. Koncesionari privat mund të lidhi lirisht dhe pa asnjë frikë nga kontrollet e agjencive shtetërore marrëveshje të fshehta me shitësit e karburanteve për të abuzuar me volumet e shitjes në dëm të konsumatorëve”.

Partia Demokratike, në një dalje për mediat e quajti tenderin korruptiv dhe klientelist. Fituesi pritet të shpallet në 18 Tetor dhe do të ketë të drejtën e kolaudimit për 20 vjet të pompave të karburanteve dhe të gazit. Propozimi i pakërkuar është bërë nga ‘Noa Kontroll’, një kompani që ka 10% bonus, çka e bën atë më të avantazhuar në garë se të tjerat.

Tv Klan