Pronarët e pishinave protestojnë kundër masave

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti është i pari Kryeministër në rajon që ka rezultuar pozitiv në Covid-19. Ai ka bërë të ditur se aktualisht është në gjendje të mirë shëndetësore ndërsa është vetëizoluar për 2 javë. Ka thënë se do të vazhdojë t’i kryejë obligimet e tij nga shtëpia.

Gjendja me pandeminë në Kosovë nuk është aspak e mirë. Ndërkohë që gjatë 24 orëve të fundit janë testuar gjithsej 454 mostra, prej të cilave janë konfirmuar 250 raste pozitive, duke e çuar numrin e përgjithshëm i të prekurve me Covid në 9 049, nga të cilët 3 804 mbeten aktivë.

Autoritetet shëndetësore në Kosovë raportuan për 7 viktima të tjera, duke bërë që vetëm në 3 ditët e para të muajit Gusht, të humbin jetën 29 persona.
Duke e parë këtë gjendje inspektorët në terren kanë ashpërsuar masa dhe janë më rigoroz gjatë inspektimeve duke mos munguar gjobat, ndërsa disa lokale janë mbyllur tërësisht.

Të pakënaqur se pishinat në Kosovë ka ditë që janë mbyllur pronarët e tyre kanë protestuar para objektit të qeverisë. Kërkojnë rihapjen e tyre. Pronarët e pishinave kanë thënë se nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh atëherë protesta e radhës do të jetë në kufi me Shqipërinë, ku do t’i bllokojnë automjetet që dalin jashtë Kosovës për pushime.

Tv Klan