Në Kosovë, deri më 9 maj, me dozat e vaksinës kompanive Pfizer dhe BioNTech janë vaksinuar 3,500 persona, ka bërë të ditur koordinatori për vaksinim në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, Niman Bardhi.

Me dozat e vaksinës Pfizer/BioNTech, janë vaksinuar vetëm personeli shëndetësor në Kosovë.

“Deri më tani, nga sasia e dedikuar prej 4,680 dozave të vaksinave, kemi shpenzuar 3,500. Në dispozicion kemi edhe 1,180 vaksina, po flas për kontingjentin e parë”, tha Bardhi gjatë një konference për media.

Ndërkohë, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë pohuar se javën e ardhshme pritet të arrijë kontingjenti tjetër i vaksinave, që përsëri do të jetë donacion.

Procesi i imunizimit me këtë lloj të vaksinave në Kosovë ka nisur më 5 maj, pas pranimit të 4,680 vaksinave të kompanisë Pfizer dhe BioNTech.

Kjo është pjesa e parë e 95,000 dozave që Bashkimi Evropian ka ndarë për Kosovën, në kuadër të mbështetjes së vaksinimit në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Edhe në fund të muajit mars, në formë donacioni, Kosova kishte pranuar 24,000 doza të vaksinës AstraZeneca, si donacion përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra.

Këto doza u harxhuan në fund të muajit mars./REL