Ndonëse këtë javë është mbajtur takimi ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe në Bruksel, asgjë konkrete nuk u tha sa i përket çështjes së arsimit.

Ndonëse palët po takohen në Bruksel, pikërisht në këtë vend po vazhdon ndërtimi i objektit të disa degëve të fakulteteve të Universitetit në veri i financuar kryekëput nga Beogradi. 

Duke iu përgjigjur deputetëve, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se funksionimi i universitetit në veri të Mitrovicës nuk është legjitim, pasi nuk ka hartuar një statut në përputhje me Ligjin për Arsimin dhe nuk është akredituar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim.

“Askush nuk duhet ta vë në dyshim se shteti jonë ka mekanizma për të parandaluar një veprimtari të jashtëligjshme, por gjithashtu e kemi parasysh se këtë universitet studiojnë qytetarë të Kosovës dhe është interes i yni që ata të integrohen në shtetin tonë”, tha Kryeministri Albin Kurti.

Menjëherë pas luftës në veri të Kosovë kishte nisur edhe funksionimi i universitetit si institucion paralel i njohur për serbët e Kosovës si Universiteti i Prishtinës i zhvendosur përkohësisht në veri.

Ndonëse në territorin e Kosovës në veri ky universitet operon sipas sistemit arsimor serb.

Por në kuadër të marrëveshjes Kosovë-Serbi të arritur në Bruksel ishte arritur marrëveshja që tu njihen diplomat në Kosovë studentëve që kanë diplomuar në këtë universitet apo edhe në veri, njësoj sikurse shqiptarëve të Luginës në Serbi t’u njihen diplomat e Kosovës.

Më 4 Shtator 2020 Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për Normalizim Ekonomik në Uashington ku palët ripërtërinë përkushtimin e tyre ndaj njohjes së ndërsjelltë të diplomave dhe certifikatave profesionale, por deri tani ende nuk janë ndërmarrë hapa konkrete dhe studentët ende po i vuajnë pasojat e mundësive të limituara në arsim dhe punësim.

Tv Klan